BeautyRona NushiSkincare

Krem Hidratues €500 – Ia Vlen Vërtetë?

Rona Nushi

Nga Nounou Rona Nushi

Nëse jeni tunduar ndonjëherë te thyeni bankën për të blerë produkte kozmetike luksoze, atëherë bëni një hap prapa, se do të tregojmë disa sekrete që do ju ndryshojnë mendjen.
Dikujt mund t’i duket e çuditshme, ndoshta dhe komplet jashtë logjikës. Dhe për dikë tjetër shumë normale, që ekzistojnë kremra fytyre me çmime €200, €300 dhe biles edhe mbi €500.
Nuk janë produkte 5kg dhe as krem me pluhur diamanti. Janë produkte luksoze me ambalazh deri në 50ml, për trajtimin e përditshëm të lëkurës.
Por, çfarë i bën kaq të veçanta për të pasur këto çmime  dhe a ia vlejnë për ti blerë? Le ti analizojmë bashkë hap pas hapi, dhe të vendosim vetë perfundimin.

Ambalazhi

Produktet kozmetike luksoze në përgjithësi kanë një ambalazh shumë elegant, kualitativ, që peshon, herë-herë dhe të dekoruar. Një gjë është e sigurt, ambalazhi i tyre është mjaft i kushtueshëm dhe është i përfshirë tek çmimi që ju paguani për produktin. Kjo është një pjesë e shpenzimit që nuk i përket cilësisë/përbërjes së produktit që ju e vendosni në lëkure.

Marka

Sa më e famshme dhe prestigjioze të jetë marka, aq më shumë do paguani për emrin e saj. Nëse ju blini një çantë Chanel, është shumë e kuptueshme që pjesa më e madhe e çmimit i takon prestigjit që ka marka. Dhe ne paguajmë qindra e mijëra euro për ndjesinë qe na jep ky produkt kur e mbajmë.

Por, nëse ne blejmë një krem Chanel, nuk është se na shkruan ne ballë Chanel kur ta vendosim. Prandaj, në këtë rast shikohet më shumë përbërja e produktit, sesa marka që e shet.

Përbërja dhe patenta

Keni pyetur ndonjëherë veten se si një markë shume e famshme veshjesh krijon dhe linjë kozmetike? Sigurisht që as stilistët dhe as rrobaqepësit nuk merren me përgatitjet apo formulat. Por, paguhen kompani të specializuara të fushës qe i prodhojnë produktet nën emrin e asaj marke. Që do të thotë se merret dikush tjetër me formulimin e produkteve. Ekziston një formulë e përgjithshme bazë, që është shumë e ngjashme tek pothuajse të gjitha markat (varësisht nga cila kompani i prodhon).

Ajo çfarë i ndryshon janë tre-katër përbërës bazë që bëjnë pjesën më të madhe të efektit të produktit (principet aktiv). Këto formula bazë mund të jenë të ngjashme  si te një krem qe kushton €5, si te ai €15 apo €155.

Këtë mund ta kuptoni shumë lehtë duke marrë disa produkte të shtrenjta dhe disa më të lira dhe duke krahasuar përbërjen. Sa % e përbërjes është e njëjtë? Cilët përbërës ndryshojnë? Sa vlen ky ndryshim?

Përbërësit e paktë që janë të veçantë për një markë luksoze (që rralle herë janë të demonstruar me studim se sa efekt kanë) në shumicën e rasteve janë të patentuar dhe mund t’i përdori vetëm ajo markë. Përsëri, edhe patenta është pjesë e çmimit që i shtohet produktit, që është shumë më e lartë se vetë ai përbërës apo kombinimi i patentuar.


Efekti i menjëhershëm

Shumë nga këto marka përdorin përbërës që japin një ndjesi të mirë qe në herën e parë të përdorimit. Një shembull i mirë janë silikonet. Por, këta përbërës nuk kanë asnjë dobi në trajtimin e lëkurës. Përkundrazi, japin një ndjesi “gënjeshtër” në sipërfaqe të lëkurës ( silikonet jepin ndjesi të butë), e cila ikën sapo ta lajmë fytyrën. Këtë e kuptoni shume lehtë.

Nëse keni disa kohë që po përdorni një produkt dhe keni ndjesi të mirë në fytyrë, pasi ta ndërprisni përdorimin e këtij produkti, sa gjatë do ju qëndrojë lëkura në gjendje të mirë?

Me produktet cilësor kjo ndjesi zgjatë me ditë e deri javë. Ndërsa produktet me përbërës “gënjyes”, sapo ta ndërprisni përdorimin, pas një-dy ditësh do e shikoni lëkurën se sa realisht është trajtuar.

Reklama

Markat luksoze investojnë shuma marramendëse ne reklamë. Vendosja e produkteve në revista si ELLE, Vogue, reklamat në Billboard, në TV, promovimi nga personazhe publik dhe të gjitha format e tjera të marketingut që këto kompani përdorin, janë gjithashtu të përfshira në çmimin e produktit. Dhe sigurisht, është një përqindje e madhe e çmimit të produktit që i përket pjesës së reklamës.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë që të gjitha produktet kozmetike luksoze nuk kanë efekt dhe nuk janë cilësore. Por, çmimi që ne paguajmë nuk i përket përbërjes që ato kanë. Prandaj, nëse ne duam të blejmë një produkt që do ketë efekt afatgjatë në lëkurën tonë, mënyra më e mirë për ta zgjedhur atë është duke lexuar përbërjen, apo duke lexuar e dëgjuar përshtypjet e atyre që i kanë përdorur dhe mund t’ju japin një sugjerim real e konkret nga eksperienca e tyre.

1
Leave a Reply

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
EKK Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
EKK
Guest
EKK

Ky artikull eshte nje must read! Te lutem shkruaj me shume ne kete drejtim! You rock Rona!