BeautyRona NushiSkincare

Pastrimi i Dyfishtë i Lëkurës, Domosdoshmëri Apo Humbje Kohe?

Rona Nushi

Nga Nounou Rona Nushi

Nëse mund ta quaj veten të fiksuar pas një gjëje, atëherë pa dyshim është trajtimi i lëkurës sipas sekreteve të aziatikëve. Nuk ka ndodhur rastësisht, më besoni.
Kam lexuar blogje, libra, artikuj. Ndjek shumë aziatikë në rrjetet sociale dhe i provoj teknikat që ato sugjerojnë për trajtimin e lëkurës. Kam kuptuar që “sekretet” e tyre bazohen në logjikë, në shkencë, në anatominë e lëkurës, në rrënjën e problemit, për dallim nga trendet perëndimore që komercializojnë idetë dhe i përdorin për përfitime momentale. Dhe sigurisht, kur këto taktikat e tyre për kujdesin e lëkurës janë të menduara kaq mirë, rezultati është i paevitueshëm.

Rrënjësore për shëndetin e lëkurës është pastrimi i duhur i saj. Dhe unë, mënyrën e pastrimit të lëkurës sime e kam bazuar tek teknikat aziatike dhe kam vite që nuk i ndahem më!

Çfarë nënkupton dhe si bëhet pastrimi i dyfishtë i lëkurës? 

Pastrimi i dyfishtë i lëkurës bazohet në pastrimin e saj me një produkt vajor si fillim dhe pastaj me një produkt me bazë ujore. Në këtë mënyrë, produkti vajor zbut dhe pastron çdo papastërti në lëkurë që është e tretshme në vaj. Këtu futen pluhurat e papastërtitë që janë ngjitur në yndyrën e lëkurës, make up, rimeli rezistent ndaj ujit etj.

Pasi bëhet pastrimi me produktin vajor, bëhet pastrimi i dytë me një produkt me bazë ujore, i cili heq nga lëkura çdo papastërti tjetër të mbetur dhe yndyrë të panevojshme në lëkurë. Kështu, kemi pastruar fytyrën tonë në thellësi, pa lënë mbetje vajore në lëkurë, pa e tharë atë, për dallim nga shampot e sapunët, dhe pa stimuluar sekretim më të madh të yndyrës. Fytyra na mbetet e butë dhe e pastër.

Pastrimi mund të bëhet shumë thjeshtë me larësin Gel To Milk, i cili është i bazuar në një formulë inovative që e kthen vajin në qumësht në kontaktin e parë me ujin. Vaji është i trashur në formë xheli, i përshtatshëm për ta fërkuar fytyrën lehtësisht me majat e gishtave. Pasi ta keni zbutur make up-in dhe papastërtitë, e shpëlani me ujë dhe në këtë moment vaji kthehet në qumësht të bardhë dhe shpëlahet komplet nga lëkura.

Kjo gjë heq bezdinë e të pasurit vaj në lëkurë.

Pastrimin e dytë mund ta bëni me një hidrosol lulesh, sipas llojit tuaj të lëkurës. Hidrosolet janë destilate të pastërta të bimëve, dhe varësisht nga bima që zgjidhni, ato veti merr dhe hidrosoli. Për shembull, për lëkurë të kombinuar mund të përdorni hidrosolin e Livandos, i cili përveç aromës së mirë, gjithashtu edhe pastron në thellësi lëkurën dhe e ekuilibron yndyrën.

Ky është kombinimi perfekt për adhuruesit e produkteve natyrale. Lëkurë e pastër nga sekretet aziatike, me produkte tërësisht natyrale.

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of