Edit KapcariFoodHealthLifestyle

3 Ditë Vegan, Pastrim Trupi, Pozitivitet, Humbje Peshe Dhe Asnjë Gram Uri

Vegan Inspired Vibes

Nga Nounou Edit Kapcari

Një ndër pyetjet më të shpeshta që më janë bërë qëkur kam hapur llogarinë time në Instagram: “Si ia ke dalë të humbësh peshë?”.

Kur unë vendosa të provoja veganizmin humbja e peshës ishte qëllim në vetvete. Vija nga një dietë disa ditore e lartë në proteina (kryesisht nga mishi dhe peshku) që më kishte lodhur e stresuar vërtetë shumë. Jetoja vetëm dhe mundësitë për ta dreqosur marrëdhënien me ushqimin ishin të arta. Prandaj, vendimi për ti ndryshuar gjërat ishte i prerë. Nuk doja të jetoja një jetë në dieta, doja të mësoja ta doja trupin tim dhe cfarë është më e rëndësishmja, ta ushqeja sic duhet.

https://www.youtube.com/watch?v=k0ibYGQ6RDk&t=1107s

(Për më tepër për këtë kalim mund të shikoni videon time të parë ne Youtbe ku shpjegoj gjerë e gjatë historinë time të kalimit në veganizëm. Ju këshilloj të merrni kokoshka ndërkohë.)

Disa vite pas dhe perspektiva është e njëjtë, fokusimi tek të ndjerit mirë me veten. Nëse e arrin këtë, urime, mund të arrish cdo gjë që do!

… dhe ky është qëllimi im në këtë shkrim. Nuk dua që ju të fokusoheni në kilogramët që do donit të humbisnit, as në centimetrat më pak që do donit të kishit, e sot nuk dua të fokusohemi as tek mbrojtja e kafshëve… dua të fokusohemi tek ju, tek TI!

Kam dashur prej kohësh ta shkruaj një artikull të tillë por e kam ndjerë që përgjegjësia nuk është e vogël. Nuk doja të përshkruaja një dietë ku të përcaktoja sa gram nga x ushqim duhet ngrënë. I urrej dietat, urrej planet ditore me gramaturë dhe mendoj se janë shumë të dëmshme. Gjithashtu, nëse flasim për detoks dhe pastrim trupi nuk mund të imagjinojmë ushqimet e skuqura, janë dy faktorë përjashtues të njëri tjetrit.

Detoksi që unë do përshkruaj hap pas hapi në këtë shkrim është një plan personal, i përpiluar dhe provuar nga unë dhe nga disa ndjekës të mi në Instagram. Nuk do e këshilloja për gratë shtatëzëna apo gratë që janë në periudhën e ushqyerjes me gji të fëmijës.

#Udhëzime

Meqë kur vjen puna tek ushqyerja nuk ka “ne” (There’s no us in food!)  tani e tutje në këtë artikull do të të drejtohem me “ti”.

Dua që ti të zgjedhësh një periudhë 3 ditore e të fokusohesh në pastrimin e trupit tënd nga të gjitha ngrëniet e pandërgjegjshme, të shpejta e të pashëndetshme të bëra deri më tani. Nuk është e thënë që ky 3-ditor të fillojë që nesër, edhe pse do ishte mrekulli. Duhet ta fillosh kur ta ndjesh.

Të mirat e këtij regjimi:

  1. Do bësh një pastrim të organizmit nga të gjitha toksinat që ke marrë duke ngrënë ushqime gjysëm të gatshme, ushqime të gatuara keq e të skuqura, ushqime të gatuara nga të tjerë në kushte jo të mira higjiene, ushqime plot konservantë e kimikate, ushqime plot hormone kafshësh.
  2. Do lehtësohesh pak në peshë sepse nuk do marrësh yndyrë në këto 3 ditë.
  3. Do ndihesh me më shumë energji.
  4. Do jesh më e organizuar, sepse ke disa gjëra në listë që duhen bërë. Kjo do bëjë që të jesh dhe me goal-oriented, e fokusuar në vetvete dhe aktive sepse e ke ditën e mbushur.
  5. Do merresh pak më shumë me veten dhe nuk do vraposh të lësh lekët tek restoranti apo fast foodi më i afërt. Në 3 ditë do kesh më shumë përgjegjësi për veten.
  6. Nuk do ndjesh uri sepse mund të hash sa të duash nga produktet e listuara në menu. Unë i kam shumë inat regjimet me gramaturë dhe besoj se janë ndër faktorët kryesorë që sjellin disbalanca në ushqyerje dhe çrregullime ushqimore.
  7. Ushqimet që kam sygjeruar janë të pasura në vlera të ndryshme ushqyese dhe nuk rrezikon kequshqyerjen nëse e ndjek këtë plan ditor vetëm për 3 ditë.
  8. Më e rëndësishmja: Do e dashurosh më shumë veten në fund të 3 ditorit. Nuk e beson? PROVOJE!

Ja cfarë të duhet:

  1. Eksplorim në kuzhinë: 

Bëj një studim në kuzhinë. Shiko nëse ke ushqime gjysëm të gatshme, të procesuara dhe hidhi një sy sasisë, që herës tjetër kur të bësh pazar të mos blesh më të tilla.

Ushqimet e paketuara apo gjysëm të gatshme janë të tejngopura në vajra vegjetale, margarinë e gjalpë që të shijojnë më shumë; janë të gatuara keq, të tejngopura në sheqer të rafinuar, kripë e konservues. Sa më shumë të hash nga ato, aq më shumë do të të hahet.

Përsa i përket vajit, që është gjithmonë një temë e nxehtë, unë përdor vajin e ullirit apo të lirit në sallatë ose pasi ushqimi është zier/ pjekur. Shumë rrallë, kur skuq apo bëj ndonjë ëmbëlsirë përdor vajin e kokosit, sepse ky i fundit i ruan vlerat e tij në temperaturë të lartë.

Në përgjithësi, unë e evitoj përdorimin e vajit në familjen time dhe përdor shumë arra, cashews (arra shqeme), lajthi, fara kungulli e lini në sallatë apo tërshërë në mënyrë që të marr yndyrat e shëndetshme dhe në të njëjtën kohë ti qëndroj larg kolesterolit. Nuk përdor asnjehere margarinë, gjalpë apo majonezë. Mund të skuq një herë në vit.

2. Përgatit një listë ushqimore me të cilat do ushqehesh për 3 ditë.

•#Fruta: Fruta të stinës, shegë, mollë, banane, fruta pylli, rrush etj.

(Nuk lejohen avokado apo frutat e thata e arrore në këtë fazë.)

•#Perime: Patate, sallatë jeshile, kastravec, domate, qepë të njoma ose normale, karrota, speca, brokoli, lulelaker, karrota.

•#Agrume: limon.

•#Erëza: Piper i kuq dhe i zi, kopër, kurkuma ose turmerik ose safran Indie, kanellë, majdanoz, borzilok, hudhër e bluar, xhenxhëfil i bluar dhe ndonjë tjetër erëz që ty të pëlqen.

•#Ëmbëlsues: Mjaltë ose shirup Agave.

•#Pije: Ujë, çaj jeshil, uthull

3. Plani 3 ditor

Mëngjesi (i njëjtë për të 3 ditët): 

1. Një gotë ujë të vakët në të cilën ke shtrydhur një gjysëm limoni.

2. Një sallatë të bollshme frutash (Kujdes, jo fruta të thata).

Përgatitja: Merr 3-4 lloje të ndryshme frutash, priti të vogla dhe hidhi në një tas të bollshëm sallate. Spërkati me kanellë.

3. Një kafe ose një çaj jeshil (shqeto ose të ëmbëlsuar me mjaltë apo shirup Agave për veganët.)

Ushqyerja gjatë ditës, deri në darkë:

  1. Sallatë tjetër e madhe me fruta e kanellë, njësoj si në mëngjes. Nëse nuk je në shtëpi gjatë ditës, përgatite sallatën dhe merre me vete.
  2. Nëse do të kesh me vete dhe dicka të kripur, mund të presësh ca karrota dhe speca, ti hedhësh në një mbajtëse ushqimi e ti spërkasësh me pak uthull ose balsamico.
  3. Një çaj të dytë jeshil.
  4. Ujë. Nëse nuk e pi dot sic është, hidhi gjethe mente, limon dhe kastraveca të prerë që të shijojë më shumë. Pi 1.5 – 2 litra ujë në ditë, krahas cajit. Një truk i vogël që funksionon gjthmonë, vendosë shishen ose mbajtësen e ujit në tavolinën që ke afër, kështu do kujtohesh të pish, madje do pish në mënyrë të pavetëdijshme. Mund të jetë tavolina e punës, e bibliotekës, e sallës së leksionit apo bankës së shkollës.

Darka:

Dita 1: Receta 1 dhe 3

Dita 2: Receta 2 dhe 3

Dita 3: Receta 1 dhe 3

Receta 1 – Patate të pjekura

1. Merr sa të duash patate, qeroji, laji, priti në shiritë dhe zieji per 10 minuta.

2. Shtroji në një tavë për pjekje ku më parë ke shtruar një letër për pjekje.

3. Spërkati me pak kripë, piper, safran indije ose turmerik, kopër, xhenxhëfil të bluar, hudhër të bluar dhe ndonjë erëz tjetër që ty të pëlqen.

4. Piqi në furrë në temperaturë 180 gradë për rreth 40-50 minuta sa të marrin ngjyrë të kuqërremtë.

Receta 2 – Perime te ziera

  1. Merr sa të duash patate, brokoli ose lulelakër dhe karrota. Pastroi dhe laji mirë.
  2. Nëse ke tenxhere me avull, zieji në një tenxhere me avull, përndryshe, në një tenxhere normale me ujë në të cilin ke shtuar kripë.
  3. Brokoli dhe lulelakra zihen më shpejt se dy perimet e tjera, prandaj shtoji në tenxhere 7-8 minuta pas patateve dhe karrotave.

Receta 3 – Sallatë e bollshme

Gjethet e lara mirë të sallatës jeshile, qepët e njoma ose normale, domatet, kastravecat dhe specat e prerë në madhësi mesatare hidhi në një tas sallatë. Shto pak kripë, limon të shtrydhur, uthull, kopër dhe piper.

Shtesa ushqimore: Vitamina B12 nuk prodhohet nga kafshët por nga organizma njëqelizorë, prandaj problemet si pasojë e mungesës së saj shfaqen si tek vegjetarianët e veganët ashtu edhe tek gjithçkangrënësit. Që të jesh në shëndet të plotë, bëj një trajtim 3 mujor me vitaminë B12 duke e marrë çdo ditë për 3 muaj. Arsyeja pse 3 muaj mjaftojnë në vit është sepse kjo vitaminë, njësoj si vitamina D që merret nga rrezet e diellit depozitohet në trup dhe trupi e përdor sa herë ka nevojë.

Vitaminat e mia, (B12, hekur, biotinë unë ka 6 muaj që i porosis nga eVitamins dhe jam shumë e kënaqur me cilësinë sepse janë vegane, pa kimikate e konservues dhe për më tepër të ngrënshme, #yum:

Website: https://www.evitamins.com

#Këshilla

  1. Ha sa të të hahet, mos u limito në sasi nga ushqimet që ke të përcaktuara në vakt.
  2. Gjatë kohës që përgatit darkën ha një karrotë ose një mollë që ti bësh ballë urisë.
  3. Është shumë e rëndësishme të flesh 7-8 orë gjumë dhe të zgjohesh herët që të kesh kohë të përgatisësh e të hash mëngjesin.
  4. Nuk do e kesh fare të vështirë sepse recetat janë super të thjeshta, dhe çdo gjë që të duhet e ke të shpjeguar me detaje sëbashku me listën e ushqimeve. Thjesht ji e vendosur dhe e organizuar. Do ia dalësh!
  5. Kujdesu që ushqimet ti blesh ne tregun e frutave dhe perimeve dhe jo në supermarket.
  6. Do ishte shumë mirë sikur këtë regjim 3 ditor ta kombinosh me ecje, të paktën një orë në ditë. Nxirr kafshët shtëpiake, prindërit apo miqtë për ajër të pastër osë rrugën për në punë/ shkollë bëje në këmbë.

Për çdo gjë që ka lidhje me këtë regjim, më ndonjë tundim ushqimor gjatë këtyre ditëve, apo ndonjë problem tjetër që ka lidhje me regjimin mund të më pyesësh në instagramin tim (@veganinspiredvibes) ose të më dërgosh një email në viv@kapcari.com.

Nëse e ke përfunduar regjimin 3 ditor, je e kënaqur me rezultatet mund të më shkruash për të më falenderuar. Unë e vlerësoj shumë mirënjohjen dhe njerëzit mirënjohës.

Nëse do që të vijosh me një regjim vegan apo vegjetarian, të mësosh si të gatuash receta të tjera akoma më të shijshme, shëndetshme e komplekse, të zhvillosh vese të shëndetshme në të ushqyer apo jetuar, mund të më kontaktosh.

Në rregull vibesters, mendoj që kontributi im për sot mjafton.

Mos harroni të mendoni pozitivisht, te buzëqeshni dhe ç’është më e rëndësishmja, të merrni frymë thellë.

…BREATHE!

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of