Edit KapcariHost NounouInspirationLifestyle

Pak Frymë Nga Arbana Osmani

Vegan Inspired Vibes

Nga Nounou Edit Kapcari

“I’ve learned that people will forget what you said, 

people will forget what you did, 

but people will never forget how you made them feel.” 

      Maya Angelou

Herën e fundit në Shqipëri isha bashkë me bashkëshortin tim. Ishte udhëtimi i tij i dytë në vendin tim. Në të parin une e kisha prezantuar me kushërinjtë që janë pak a shumë mosha ime dhe sigurisht me familjen time por jo më gjerë. Herën e dytë dëshira e tij ishte e madhe që të takonte prindërit e prindërve të mi, të vizitonte vendet ku prindërit e mi ishin lindur e rritur. Ndërkohë, gjatë gjithë këtij takimi unë qëndroja në prapaskenë dhe shijoja reagimet e dy palëve. Më kujtohet sa u emocionua ai kur gjyshi im, me të gjithë vështirësitë e moshës, erdhi të na përshëndeste para se ne të ktheheshim në Gjermani. Ishim takuar tre herë në dy javë por jo, ai duhet të na takonte përsëri për të na thënë mirupafshim. E sigurtë që ai gjest nuk do më bënte aq përshtypje nëse nuk do e shihja përmes syve të bashkëshortit tim. I emocionuar më tha që e vlerësonte së tepërmi ate burrë trupvogël sepse në aq pak takime i kishte përcjellë kaq shumë respekt e dashuri. Vetëm me gjeste…

Kam menduar gjithmonë që jam njeri i ndjeshëm që kërkon për emocione dhe vlera dhe aty ku duket e vështirë të gjenden, por e paskam patur shumë gabim. Mënyra se si i përceptojmë gjërat është reflektim i historive dhe përjetimeve tona personale dhe ky përceptim ndryshon sa herë që ne ngacmohemi nga një histori e re, një informacion i ri, një kulturë e re apo të tjera impulse të panjohura për ne.

Arbana Osmani duhet të ketë një botë aq të pasur përceptimesh meqënëse gjatë rrugëtimit të saj në media ka prekur shpirtra fëmijësh, të rriturish, shpirtrat e gjysheve dhe gjyshërve tanë. Ajo ka takuar njerëz të të gjitha dimensioneve, secili me librin e vet të eksperiencave dhe kujtimeve. Respekti, forca dhe dashuria me të cilën ajo trajton këto libra justifikon plotësisht arsyen pse te gjithë e duan.

Unë nuk kam bërë kurrë intervista më pare, as kam njohurinë e duhur për të bërë të tilla,  por me lexuesit e Nounou në mendje shoqëruar me natyrën time kurioze, i kam bërë Arbanës disa pyetje.

Përgjigjet i kam lexuar me një frymë dhe personalisht mendoj që secila përcjell një mesazh, prandaj shijojeni.

Foto nga Edurt Grishaj

Sa vjeç ke qënë kur ke filluar punë për herë të parë? 

Punën e vërtetë, me rrogë me bordero, e kam filluar 15 vjeç në Top Albania Radio. Para kësaj merresha me përkthime dokumentesh në një zyrë noteriale që kishte atë kohë tezja ime.

Sa detyra shtëpie më shumë ke bëre para çdo daljeje në emisionet e tua të para krahasuar me tani? 

Oh bëj më shumë tani. Me kalimin e kohës përgjegjësia është e madhe dhe tani edhe nëse më duhet thjeshtë ti përgjigjem një interviste, reflektoj dhe përgatitem shumë më tepër se dikur.

E ke patur gjithmonë mbështetjen e familjes përsa i përket vendimeve të tua profesionale? Si ke reaguar në momentet që mund të kesh hasur në kundërshtime?

Kam patur mbështetjen e tyre të plotë në kuptimin që më kanë lënë të lirë të zhvilloj pasionet e mia.

Në shumë raste më kanë inkurajuar patjetër, në ca raste të tjera nuk kanë qënë plotësisht dakort me zgjedhjen time për të prezantuar programet e darkës në radio që mund të cënonin kohën e mësimeve kur isha në gjimnaz.

Gjithsesi kam ndjerë gjithmonë mbështetjen e tyre në çdo hap, paralelisht me këtë jam kujdesur edhe unë të mos bëj zgjedhje që do ti cënonin ose mërzisnin.

Koha kalon, ti provon dalje pas daljeje aftësitë e tua për të mbajtur emisione me peshë të rëndë. Të kanë trembur fillimisht sfidat me shumë përgjegjësi?

Faleminderit, mua më pëlqejnë përgjegjësitë, nuk para iu shmangem. Kur lexova pyetjen po përpiqesha të kujtoja nëse jam trembur kur mu besua “Big Brother” apo autorësia e “Dua të të bëj të lumtur”… dhe kujtova që në të dyja rastet i kam kërkuar vetë këto pozicione.

Në rastin e BBA sepse e ndjeja timin atë program dhe kisha një bindje që mund ta bëja shumë mirë. Në rastin e Dua (suksesi i të cilës është ende i pa provuar) sërisht ndjej që mund ta realizoj siç duhet duke qënë akoma në brendësi të programit si drejtuese e projektit.

A ka raste kur them po unë ç’pata që i hyra kësaj pune se isha rehat? Patjetër, por kënaqësia që merr kur e ndjen pastaj që ia ke dalë është e pamatë.

Si ke reaguar kur të është besuar një emision i përmasave të “Big Brother”?

Jam lumturuar. Në atë kohë unë isha 25 vjeç dhe ishte një ngjitje e rëndësishme në karrierën time. Sot shoh shumë pak të rinj t’ju besohen emisione të formateve me shikueshmëri të lartë, për mua ka qënë një privilegj, por besoj ka ndikuar edhe përvoja disa vjeçare në TAR dhe TCH.

Unë jam një ndjekëse e përvitshme e këtij programi (BBA), ndoshta jo aq rigoroze, por qëllimi im ka qënë të shoh sa e aftë jam në njohjen e karaktereve që mund të mos kenë asnjë ngjashmëri me karakterin tim. Personalisht mendoj që ky program më ka mësuar të jem më pak paragjykuese dhe të lexoj më shpejt njerëzit, edhe kur ata duan të shprehin totalisht të kundërtën e asaj për të cilën unë jam e interesuar. Sa ndikim mendon se ka patur BBA tek ti?

Ka qënë plotësisht e njëjta gjë dhe për mua. Unë kam qënë një njeri shumë paragjykues. Ndoshta për faktin se vija nga provinca, ndoshta sepse jam rritur me rregulla strikte, i kam parë gjërat bardhë e  zi deri vonë.

“Big Brother” dalëngadalë (jo menjëherë) më ka mësuar të respektoj dhe ti dua njerëzit e lirë. Ata që e jetojnë jetën siç duan, ata që të luftojnë, gabojnë, rrëzohen, ngrihen prap, lëndojnë e thonë më fal. Hyrja në një format si BBA në një vend si Shqipëria kërkon guxim dhe unë ua vlerësoj çdo grimcë guximi atyre që janë bërë pjesë.

Ke momente kur ndihesh e huaj në vendin tënd? (Nëse po) Si e kalon këtë ndjesi?

Jo, për çudi kurrë s’më ka ndodhur. Ndihem shumë mirë në vendin tim, ndoshta sepse këtu kam të gjithë njerëzit që dua.

Ndodh shpesh që të ndihemi të rënë moralisht apo thjeshtë të kemi nivel të ulët energjie, optimizmi. Ka të tilla sekuenca në jetën tënde? Ke zhvilluar ndonjë taktikë për ti kaluar më lehtë?

Patjeter që kam. Nuk është një atmosferë e shpeshtë, por ndodh. Nuk e kam gjetur ilaçin por kam vënë re se më ndihmon të flas, të rri me njerëzit e dashur, të komunikoj. Nuk jam natyrë që mbyllem në vetvete.

Sporti kam vënë re që ndihmon, një gotë vere me miq akoma më shumë. 🙂

Unë mendoj që të gjithë kemi të paktën një tipar dallues që na identifikon, në familje, në rrethin e ngushtë shoqëror apo dhe në aspektin profesional. Cili mendon të përket ty?

Se di. Shumë mund të mendojnë që unë jam ajo që, mbaj gjallë tavolina, biseda diskutime, por në fakt jo, nuk jam unë protagoniste në shtëpinë time.

Besoj se tipar dallues kam të qënit e drejtpërdrejtë dhe të të thënit të gjërave siç i mendoj. Dhe që dua të ha e të gatuaj gjëra të mira, gjithmonë. 🙂

Ke një kafshë të preferuar, për të cilën je shtyrë të lexosh më shumë apo që mendon se të personifikon? 

Unë dua çdo lloj kafshe që ekziston dhe këtë pasion ia kam përcjellë dhe tim biri pa e kuptuar.

Në shtëpinë tonë (tek mami) kemi patur dhe kemi mace. Me shpirt do mbaja mace, qen, pula, lepuj, dele por jetesa në apartament dhe puna që unë bëj nuk më lejon t’iu përkushtohem siç duhet.

Nuk e di ç’kafshë do më personifikonte, ndoshta mace se mace kemi patur gjithmonë në shtëpi.

Jetojmë në një kohë kur sasia e informacionit tejkalon shpejtësinë e trurit tonë për ti proçesuar gjërat. Çdo gjë sot është aq dinamike sa ditët duken shumë të shkurtra për të bërë çdo gjë që kemi në ToDo list apo në kokë. Sigurisht, kjo gjë vjen dhe me pasoja negative në shëndetin fizik e mendor. Ke ndonjë praktikë ditore që të ndihmon ta përballosh siç duhet dinamikën e ditëve të tua, pa të stresuar dhe të jep një dorë në balancimin punë-familje?

Kam arritur të gjej balancën duke qëndruar gati gjithmonë fundjavat pushim, në familje.  Kam mësuar të mos jem aq shumë kërkuese ndaj vetes si dikur. Kam filluar të sillem pak më mirë me veten duke mos marrë përsipër aq shumë punë sa do cënonin qetësinë time dhe shendetin fizik e mendor.

Nuk jam e sëmurë pas parasë, dhe nuk dua ta ngrys jetën time vetëm duke punuar. Dua të jetoj. Besoj ka kohë për të gjitha, mjaft të gjesh balancën se çfarë të bën ty vërtet më mirë.

Si mendon se personi më i afërt për ty do i përgjigjej pyetjes: “Cila është këshilla që të duhet t’ia japësh më shpesh Arbanës, apo gjëja që duhet t’ia kujtosh herë pas here?” 

Hahahahahah “Mos u vono”. Dikur kam qënë shumë korrekte, por tani me një fëmijë të vogël gjithçka bëhet më e vështirë për të dalë nga shtëpia.

Më trego një të vërtetë, apo një gjë që ti e mendon por që pothuajse asnjë person rreth teje nuk bie dakord me ty.

E thashë pak më lart, unë kam probleme ende (megjithëse po përpiqem ti rregulloj) me “diplomacinë”. Herë pas here vazhdoj ta them shumë hapur atë që mendoj, duke e ditur se mund të lendoj dikë. Dhe ka momente kur e ndjej që bëj shumë gabim që e bëj këtë,  por është më e fortë se unë. Kjo herë më bën të dukem arrogante e herë e pa takt, por gjëja e mirë është që e kuptoj kur kam gabuar dhe nuk vonoj të kërkoj falje.

Mund të më përshkruash një moment kur pothuajse ke hequr dorë. Si je ndjerë dhe si ia ke dalë të mos heqësh dorë?

Ka patur shumë momente. Në punë, në shkollë, në jetë. Por nuk kam hequr dorë asnjëherë sepse jam dorëzuar, por sepse kam ndjerë se nuk ishte gjëja e duhur për mua. Ka patur më shumë se një moment në këto 19 vite që kam dashur të largohem në Top Channel.  Dhe këto momente unë nuk i konsideroj momente dobësie, por maturie, sepse në asnjë rast nuk kam vepruar me nxitim, por jam këshilluar me njerëzit tek të cilët kam patur besim dhe kam kuptuar brenda vetes se çfarë kam dashur vërtet. Nuk e di a kam bërë mirë, por kam bërë atë që kam dashur.

Ke ndonjë liste të artë me këshilla suksesi që ti kanë thënë, i ke zbatuar dhe i ke futur në listën e gjërave që duhen kthyer në vese?

Jooo, kam që në gjimnaz që nuk lexoj me libra me këshilla suksesi. Dhe nuk besoj në receta.

Besoj që secili prej nesh duhet të zbulojë brenda vetes çfarë e bën të lumtur, dhe ta ndjekë atë. Kam kuptuar që ne jemi aq të ndryshëm dhe çdo gjë është relative.

Mamatë, duam s’duam ne kanë gjithmonë të drejtë. Ka ndonjë histori të vogël kur mami të ka paralajmëruar, ti ke bërë të kundërtën dhe në fund dritat e skenës janë ndezur dhe mami ka thënë shprehjen e saj të preferuar: “… dhe të thashë…”

Nuk ka një histori të vogël, ka një histori të vetme të vazhdueshme, që nuk mbaron kurrë. 🙂

Përgjithësisht unë e vlerësoj mendimin e saj dhe e pyes gjithmonë para. Por natyrisht që ka raste që nuk i pëlqen, ose nuk është dakord. E megjithatë unë zgjedh të vazhdoj me zgjedhjen time duke e ditur që në fund do më vije ajo shprehja e njohur “se nuk e dëgjon mamin ti”… Këto episode lidhen kryesisht me minifunde më të shkurtra seç duhet dhe dekolte “të panevojshme” siç i quan ajo…

Cila është thënia që të pëlqen apo të ka bërë më shumë përshtypje këto kohë? 

Nuk mësohet noti, pa hyrë në det.

Foto nga Eduart Grishaj

Ke intervistuar shumë njerëz, të fushave dhe përmasave të ndryshme. Cili është ai person apo ajo histori që të ka bërë më shumë përshtypje?

Unë kam fatin të kem një punë aq frymëzuese e aq të bukur sa nuk e imagjinon dot.

Kam zbuluar që nuk më frymëzojnë me artistët, por njerëzit e thjeshtë.

Dikur lexoja me endje biografitë e shkrimtarëve, filozofëve, shkencëtarëve, presidentëve etj. Sot ndihem më mirë kur dëgjoj rrëfimet e Bujarit nga Tropoja, Anës nga Delvina, Besës nga Kukësi etj. Ka aq shumë vërtetësi në mënyrën se si ata e jetojnë jetën, sa nuk mund ta përshkruaj.

Personalisht mendoj që programi “Dua të të bëj të lumtur” është një ndër programet më me vlerë në historinë e mediave televizive, sidomos në një kohë kur përcaktimi i urisë nuk është mungesa e ushqimit, por ajo e një fjale apo gjesti të thënë e bërë me zemër. Pavarësisht se ne nuk jemi takuar kurrë, më lejo të them që në një moshë kaq të re ke arritur diçka që personalisht e vlerësoj shumë, të bërit të lumtur të njerëzve thjeshtë me prezencën tënde… pa thënë apo bërë asgjë. Cili ka qënë motivimi kryesor për të bërë një program të tillë me 0% elemente marketingu pa asnjë grimcë vlerë që sot i shohim rëndom në emisione të tjera? 

Faleminderit shumë. Nuk ka qënë e thjeshtë. Ka qënë një projekt që unë e kam patur prej kohësh, dhe kishte një risk të madh, që nuk do kishte sherre live, dhe ndarje dhe fyerje dhe velina e gjithçka tjetër që tërheq në TV sot. Vjet programi u prit mirë, por ne që jemi aty brenda dimë dhe çfarë çaloi, të cilat po përpiqemi ti sjellim akoma më mirë këtë vit.

Dua që tek “Dua të të bëj të lumtur” njerëzit ta shohin programin si një urë që do i ndihmojë të komunikojnë me njëri tjetrin, qoftë për të thënë më fal e qoftë për të thënë faleminderit.

Ne kemi nevojë të flasim. Ne nuk flasim, ne gjykojmë.

Çfarë mendon se po bejmë gabim sot në lidhje me mjedisin ku po jetojmë dhe gjallesat e tjera?

Unë jam një njeri shumë i lidhur me natyrën dhe me tokën.

Përjetoj shumë keq çarjen që ka pësuar njerëzimi nga natyra, ne e kemi humbur kontaktin me të. Zgjedhim ti çojmë fëmijët në qëndra tregtare se nuk kemi parqe.

Mua s’ma beson njeri, por e kam ëndërr një shtëpi në fshat, të kem kopështin tim, kafshët, bahçen, por është shumë e vështirë jetesa aty, sidomos për një familje me fëmijë të vegjël. Mendoj që po bëjmë gabim që po braktisim fshatin, e bashkë me të edhe natyrën. Masakrat me pyjet, rrënimi i fshatit me trishton pafund.

Nounou ka për qëllim frymëzimin e lexuesve të tij. Jam e sigurtë që kjo intervistë do e përmbushë plotësisht këtë qëllim. Çfarë do i thoje sot një vajze që do të arrijë diçka por për momentin ndihet e humbur, pa mbështetje dhe e ç’orientuar?

Të mos dorëzohet kurrë, të mos bëjë një telefonatë pune por 20. Mua në fillim më kanë refuzuar të gjithë. Merrja gazetat dhe në faqen e fundit ju gjeja numrin e telefonit e i telefonoja për ti pyetur a keni nevojë për staf. Një mu përgjigj nga 20. Dhe aty fillova punë pa para.

Këto kohë kam qënë vazhdimisht me të rinj të cilët kanë kërkuar të punësohen pranë programit dhe kam vënë re një mosdëshirë për të punuar, jo se duan të rrinë në Instagram, por sepse nuk e kanë gjetur punën që iu pëlqen.

Kërkoni brenda vetes, dhe gjeni çfarë doni të bëni me të vërtetë, e pasi ta keni gjetur, mos u dorëzoni kurrë, edhe kur t’ju thonë që s’jeni për këtë punë. Sepse ju e dini më mirë.

E mbyllim me dashuri 😀 Cila është receta që i bën miqtë e njerëzit që do të nxjerrin zemra nga sytë? Është pjesë e “Receta për njerëzit që dua”? 

Makaronat besoj janë pika ime më e fortë. Pennet me domate, borzilok dhe pecorino nuk mbeten kurrë edhe sikur të bëj 2 pako për 4 veta. 🙂

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of