Edit KapcariFoodHealthLifestyleVegan

Rutina Ime Sa Hap Sytë

Vegan Inspired Vibes

Nga NOUNOU Edit Kapcari

Për mua fillimet janë shumë të rëndësishme, siç dhe thonë, nuk na jepet një shans i dytë për të lënë përshtypjen e parë. Duke qëndruar në këtë linjë, jam munduar që me kalimin e viteve të kem një rutinë mëngjesi që të më lehtësojë përballjen me sfidat e ditës.

Zgjimi:

Fillimisht, zgjohem nga një radio e cila ndizet automatikisht gjithmonë në 06:30 të mëngjesit. Nuk mbaj telefon në dhomën e gjumit. Sigurisht ka raste kur sinjali i radios nuk mjafton, prandaj vendos dhe një alarm në telefon në 06:35, por telefoni qëndron në korridor. Arsyeja është e thjeshtë, për të fikur alarmin e telefonit duhet të ngrihem nga krevati, proces që ndihmon të më dalë gjumi.

5 minutat e para, pas zgjimit i përdor që të mbushem me frymë. Dinamika e ditëve sot ka bërë që ne të harrojmë të marrim frymë siç duhet. Teknika që përdor është mjaft e thjeshtë, marr frymë thellë duke mbushur diafragmën plot sa të krijohet ndjesia sikur barku takon brinjët dhe e lëshoj shumë ngadalë sa të krijohet ndjesia sikur jam shtatzënë (hahaha). Ky proces përsëritet 15 herë dhe më lehtëson ndarjen përfundimtare nga krevati.

Ujë:

Marr një gjysmë kokërr limoni të larë dhe e shtrydh në një kavanoz 500ml. I shtoj një bustinë çaj jeshil dhe ujë të valuar dhe e lë të pushojë derisa të më duhet të heq bustinën e çajit dhe uji të jetë ftohur mjaftueshëm për tu pirë.

Ndërkohë qe uji-çaj bëhet gati, bëj një dush, i cili meqenëse bëhet çdo ditë nuk zgjat më shumë se 5-8 minuta.

Mëngjesi:

Mëngjesi im është sigurisht vegan. Gjatë ditëve të javës kur koha në dispozicion është dhe më e vogël, mëngjesi mund të jetë diçka që bëhet shpejt. Disa shembuj mëngjesesh: 2 banane dhe një mollë apo ndonjë frutë tjetër i stinës / 100gr tërshërë me ca fruta të prera dhe kos vegan apo qumësht vegan / dy rriska bukë thekre me djathë vegan dhe reçel / polenta me djathë vegan / fruta me kos vegan.

Kujdesi për fytyrën:

Pasi mbushet barku mund të kalojmë tek fytyra. Përdor një tonik për pastrimin e lëkurës, vendos një hidratues dhe disa sekonda më vonë një pudër pluhur minerale që jo vetëm i jep njëtrajtësi lëkurës por dhe e ushqen atë. Në varësi të ndjesisë, vendos një rimel dhe një penel të thjeshtë.

Por ka dhe ditë kur dua ta lë fytyrën vetëm me hidratues pa vënë asnjë makeup sepse dua të ndihem totalisht e freskët dhe rinore. Kam arritur në një fazë ku të gjitha produktet që unë përdor për lëkurën janë vegane dhe ushqyese. Gjithashtu, kam ndërtuar një marrëdhënie dashurie me reflektimin tim në pasqyrë.

Veshja:

Pas fytyrës vjen veshja që gjithashtu varet sipas ndjesisë. E rëndësishme është që unë të ndihem rehat me rrobat që vesh. Kam stilin tim dhe nuk jam fare e dhënë pas trendeve të momentit apo blerjeve të reja.

Në ditët kur ndodh të zgjohem më herët se në 06:30 mund të bëj 15 minuta stretching apo joga, ushtrime të thjeshta për secilën pjesë trupi që zgjojnë muskujt dhe më bëjnë të ndihem më energjike. Në fundjavë kam një rutinë tjetër që shpeshherë nuk i përmbahet rregullave, por për të do shkruaj në një postim tjetër.

Familja:

Rrugës për në punë shkruaj me familjen meqenëse nuk jetojmë të gjithë në një vend.

Po ju keni një rutinë mëngjesi? Më tregoni më shumë në komente apo në rrjetet e mia sociale.

Mos harroni të merrni frymë thellë e të mbushni me pozitivitet veten e të tjerët, kështu çdo gjë bëhet më me ngjyra.

Ky artikull është postuar nga Nounou Edit Kapcari për Dritare.net

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of