Edit KapcariInspirationLifestyle

Pak Frymë Nga Irma Libohova

Vegan Inspired Vibes

Nga NOUNOU Edit Kapcari

“Red is the great clarifier bright and revealing. I can’t imagine becoming bored with red it would be like becoming bored with the person you love.” – Diana Vreeland

Luajmë një lojë? Çdo personazhi publik ti bashkëngjisim një ngjyrë që do e personifikonte plotësisht. Me kë do shkonte e kuqja per shembull?

E kuqja e energjisë, luftës, rrezikut, fuqisë, vendosmërisë, pasionit, dëshirës, dashurisë. E kuqja që tërheq vëmendjen, ngadalëson plakjen, thekson tiparet.

Edhe sikur të mos e thoshte titulli i intervistës jam e bindur që me pak përqëndrim ju do e mendonit si unë: e kuqja në Shqipëri personifikohet nga Irma Libohova!

Po nuk u reflektua mjaftueshëm në ngjyrën e flokëve do jetë patjetër në një buzëkuq, në thonj, veshje apo aksesorë.

Ndërkohë, Audrey Hepburn thoshte qe ka një hije të së kuqes për çdo grua. E vërtetë, të gjitha dukemi bukur në të kuqe, ndoshta pse çdo grua është e bukur në formën e saj,

por mos vallë e kuqja e Irmës është më tepër sesa thjeshtë dukje?!

Si është e mundur që të rrezatojë shumë pozitivitet edhe kur këndon tekste jo aq shumëngjyrëshe?

“Flas gjithmonë për buzëqeshjen. Nuk kushton, të ndrin fytyrën, përcjell energji pozitive. Me siguri më vjen së brendshmi, është e natyrshme.

Më pëlqejnë më shumë rrudhat që krijon e qeshura se sa brazda e ballit nga mrrolja (mrrolja – vëngër)” – është përgjigja e qetë dhe e pastër e Irmës.

 

Si është e mundur të bëjë krenarë aq prindër vajzash, përfshirë të mitë, përmes një kënge të vetme, “Kush ka vajza”, edhe pse ajo është nënë djali, edhe pse Shqiperia ka qene e ka akoma prirje patriarkale?

Çfarë mua më bën përshtypje tek ajo nuk është ngjyra e kuqe, e ndoshta as fakti që ajo e ka dominuar skenën me fuqinë e zërit të saj dhe lirshmërinë e të kënduarit live me një saktësi të frikshme.

Mua më intrigon vetëbesimi i saj dhe në të njëjtën kohë thjeshtësia. Tipare që ia sheh kudo, edhe në intervista të disa viteve më parë, si për shembull në një intervistë plot emocione për Sonila Mecon, te cilën e pashë me një frymë teksa po mundohesha ta njihja si personazh në disa dimensione.

Intervista që po lexoni është teknikisht e veçantë sepse përgjigjet e 9598483494 pyetjeve të mia (E dashur Irma me fal per lodhjen!) mi ka dhënë të shkruara me shkrimin e saj rruaze në një fletore, e unë fotot e përgjigjeve do i kem gjithmonë kujtim.

Siç do kem kujtim menyrën se si ajo artikulon apo zgjedh fjalët, qoftë dhe në një mesazh të shkurtër personal.

 

Përpara se te vijoni me leximin, për ta sjelle në mënyrë më origjinale mënyrën se si Irma Libohova i mendon dhe sheh gjërat, do ju sugjeroja ta imagjinonit atë të veshur rehatshëm me një çaj apo gotë verë në dorë, një bllok shënimesh e një stilolaps të kuq (sigurisht që do ishte i kuq!), teksa i pergjigjet secilës prej pyetjeve të mëposhtme pas orës 02:00 të mëngjesit.

 

  1. Cila ka qënë një ndër ëndrrat e tua që kur e ke patur të është dukur pothuajse e pamundur por që sot e ke realizuar? 

 

Ëndrrat e mia kanë qënë të lidhura me karrierën time. Edhe pse kam kënduar shumë e vogël nuk e dija që një ditë do të isha këngëtare me zë. E kur u bëra e tillë pastaj kam kuptuar që për mua ëndrra dhe e pamundura nuk kanë më pikë takimi.

 

  1.  Përshtypja e parë kur të sheh duke performuar apo në foto është optimizmi dhe pozitiviteti që përcjell. Si ia bën të rrezatosh gjithmonë mirësi e buzëqeshje?

 

Flas gjithmonë për buzëqeshjen. Nuk kushton, të ndrin fytyrën, përcjell energji pozitive. Me siguri më vjen së brendshmi, është e natyrshme. Më pëlqejnë më shumë rrudhat që krijon e qeshura se sa brazda e ballit nga mrrolja (mrrolja – vëngër).

 

  1. Cfarë tiparesh duhet të kishte një këngëtar para 30 vitesh për të qënë i suksesshëm dhe cfarë mendon se duhet të ketë sot?

 

Dje: Ishe ti real, i verteti? Sot: S’je ti, është virtualiteti.

 

  1. Kanë qënë prindërit gjithmonë mbeshtetës të karrierës tënde? 

 

Të parët mbështetës, dhe deri në fund të jetës im atë. Me sakrifica pafund derisa më dhanë udhë në jetë.

 

  1. Ke qënë ndër artistet e para Shqiptare që është kontaktuar për koncerte jashtë Shqipërise, Wikipedia të numëron 17 cmime të fituara (3 të para) në festivalet më në emër të muzikës Shqiptare. Ke menduar në ndonjë moment të karrierës tënde që Shqipëria mund të jetë/ të ketë qënë e vogël për ëndrrat dhe vlerat e tua?

 

E kam gjithë dashurinë e njerëzve qe u rritën me këngët e mia, me zërin tim. Këtu në këtë vend u bëra e njohur, këtu kam marrë e dhënë emocione të forta, këtu më ka gëzuar çdo gjë e vogël, këtu kam kënduar me dashuri për jetën, njerëzit, hallet, gëzimet, këtu në Shqiperinë time me gjithë hallet që ka. Në kohën që jetojmë nëse do të bësh karrierë e famë atdheu nuk të pengon.

 

  1. E ke vënë ndonjëhere në pikëpyetje karrierën tënde? Ke menduar që ndoshta do ishte më mirë sikur të ishe marrë me dicka tjetër? Në cfarë profesioni tjetër do e shihje veten?

 

Kënga bashkëudhëtarja ime nuk do të më “tradhëtonte” kurrë. Çfarëdo që të zgjedhja tjetër, muzikë patjetër do kishte.

 

  1. Kë konsideron si këshillën më të mirë që të ka dhënë mamaja? Po këshilla më e mirë profesionale cila ka qënë dhe nëse mund ta ndash me ne, nga kush e ke marrë?

 

Prindërit tanë me modelin e tyre kanë qenë këshilla më e vyer, por ajo që mami më përsëriste gjithmonë gjithmonë ishte “Të jesh e ndershme dhe e vërtetë!” Këshilla profesionale nga të gjithë mësuesit e kantos kanë qenë dy: “Të këndosh fytyrëqeshur dhe të interpretosh!”

 

  1. Ndodh që një ngjarje të të bëjë aq përshtypje sa të ndikojë në mënyrën se si i shikon gjërat. Mund të ndash ndonjë eksperiencë të ngjashme me ne duke përshkruar pak dhe mënyrën se si e ke përjetuar këtë ndryshim?

 

Reflektimet janë besoj personale për gjithkend. Nga një X ngjarje mundohem të mos bëj të njejtin gabim (nëse). Eshtë me rëndësi të shohësh vehten gjithmonë si, pse, ku rri në raport me ngjarjen. Po flas parimisht, sepse të gjithë kemi raste të tilla. Me dy fjalë: Të jemi të mençur e të kujdesshëm!

 

  1. Ke kafshë shtëpiake? Nëse po, pse ke vendosur ti mbash?

 

Shtëpia përdhese gjithmonë ka pasur macet vërdallë lagjes. Më pas kam patur mace, dy, në banesë por nuk kam marrë më pasi më ngordhi macja e dytë. Dhembja që të shkakton ikja e një krijese çfarëdo qoftë ajo është trishtuese. Ata që mbajnë e kanë mbajtur e dinë më mire dashurinë që të falin kafshët shtëpiake. Aktualisht kemi një qenush të vockël, Tekila, por nuk është qeni im. Jetojmë në të njëjtën shtëpi.

 

  1. Cfarë do të thotë për ty të jesh e lumtur? 

E ke patur prioritet lumturinë tënde? Ke zgjedhur të bësh gjithmonë gjërat që ty do të të bënin të lumtur duke i lënë pjesën e “sakrificës” njerëzve të tjerë që ishin pranë teje?

 

Lumturi për mua do të thotë çdo detaj të vogël që më sjell dita ta përjetoj, ta shijoj. Lumturitë e mëdha vijnë dhe nga gjërat më të vogla. Më lumturon një buzëqeshje, një gatim i mirë, një gjest mirësjelljeje, një blerje me vend.

 

  1. Kur dua të frymëzohem/fokusohem në dicka të rëndësishme për shembull pëlqej shumë të dëgjoj pjesë të luajtura në piano. Po ti si funksionon? Cfarë muzike pëlqen të dëgjosh në të tilla raste?

 

Nuk besoj se ka njeri që nuk e ka provuar ndryshimin e gjendjes shpirtërore nga muzika. Për mua sporti a danci kanë të njëjtën forcë. Megjithatë, ajo që i vë vulën në fund është muzika e qetë. Zëra të kadifenjtë artistësh, tingujt e violines e kitares, violincelit janë dashuria ime.

 

  1. Cili është profili i një miku të vërtetë për ty? Sa miq të vërtetë mund të ketë një artiste e jashtëzakonshme, tepër e talentuar dhe e suksesshme?

 

Kam një libër të vjetër  në bibliotekë “Fjale te Urta” dhe sa herë e hapja ka qenë një fjalë e urtë: “Miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik”. Si e zeza në të bardhë, kjo më është ngulitur ne kokë.

Ka patur dhe fjalë të tjera që per hir të së vërtetës kanë qenë dhe formuese për konceptin “mik”. Jam e kursyer në të vërtetë me miqësi të reja se prapë ai libri (hahaha) thoshte: “Mikun e vjetër mos e harro se të riun e gjen kudo”.

 

  1. Si i kanalizon energjitë dhe ndjesitë në përditshmëri? Si sillesh me njerëzit që ankohen, paragjykojnë, i lë të të ndikojnë humorin? Po me gjërat që nuk të bëjnë të ndihesh mirë?

 

Në fakt njerëz të kësaj kategorie nuk janë në rrezen time. Dëgjoj deri në logjikën që më rrok logjika, më tej s’kam vëmendje më.

Në mënyrë të veçantë njerëzit që s’kanë produkte të punës së tyre, por vetëm analizojnë punët e të tjerëve. Zhvillimi nuk vjen duke bërë sehir, as duke tjerrë biografitë e të tjerëve. Ti më dukesh një model zhvillimi për shembull.

 

Energjitë mundohem ti përdor në shërbim të punës time, familjes time dhe së fundi të harxhoj ca me mbesën që është një lazdrice e vogël dhe quhet LULE.

 

  1. Cfarë mendon se ndihmon të bashkëjetosh (së paku) me humbjen fizike të një personi të dashur?

 

Humbja, ikja, kyçja dhe mbyllja… Këto fjalë janë shume trishtuese. Çdo gjë që kemi dashur, iku e se kemi më, na kthen në kujtimet që mbeten pas. Por, jeta ka forcë dhe jeta vazhdon.

Zbrazëtitë që shpirti i mban është mirë ti mbushësh me sytë e drejtuar nga jeta.

 

  1. Kë do zgjidhje mes të qënit: (1) e lirë për tu shprehur pa bërë kompromise me askënd dhe asgjë, (2) e lirë por me diplomaci (3) “e lirë” konform rregullave e normave të përcaktuara nga shoqëria. Mund ta argumentosh zgjedhjen?

 

Liria pa kufij? Jo, çdo gjë ka kufij. Do doja ta përkufizoja kështu: “e lirë për tu shprehur pa kompromise, konform rregullave të përcaktuara nga shoqëria.” Grupi i rregullave shoqërore personalisht për mua është shumë i rëndësishëm.

 

  1. Dhe tani pyetja 1 milion dollarëshe 🙂 Cila është rutina jote e kujdesit për veten? (Fizike dhe shpirtërore)

 

Sa kam folur për të gjitha pyetjet e mësipërme mund të flas dhe për këtë pyetjen “1 milion dollarëshe.” (hahaha) Fle kur të dua, ha kur dua, s’ha çfarë dua, bëj çfarë dua. (hahaha).

Ty të kam parë që je vegane, të shoh dhe që i qëndis pjatat, por dhe pyes, a e mbaj dot nëse do vendosja të isha? Përgjigja “Jo” më vjen. Ushqehem më të gjithë piramidën e produkteve ushqimore, por ha pak.

Kam bërë shumë gjimnastikë, tani më pak e më me kujdes, çështja e genit pastaj është fat.

 

  1. Meqenëse lexueset tona janë kryesisht vajza, meqë jemi të gjithë të ndikuar nga skandali i ngacmimeve seksuale në hollywood që bëri bujë në 2017, meqë personalisht nuk më pëlqen heshtja dhe justifikimi i heshtjes mbi këtë çështje dhe qëndrimi i dyzuar e “diplomatik” i Meryl Streep, meqë të gjithëve na preku fjalimi i Oprah’s në Golden Globes edhe pse fuqia nuk qëndronte në fjalët që tha, por për mendimin tim më shumë në vendin dhe kohën kur i tha dhe faktin që ishte Oprah që i tha ato fjalë. 

    Nëse e lokalizojmë çështjen duke e sjellë në Shqipëri, nisur nga eksperienca jote e gjatë në televizion apo me njerëz të medias, spektaklit, krijimtarisë muzikore, mendon se ngacmime të tilla ka patur më shume në periudhën e para 90′ (edhe pse më të fshehura ndoshta), apo tani? Si mendon, kur ka qenë më e veshtirë të jesh grua në art?

 

Sipas meje s’ka ndonjë ndryshim në dy kohët dhe në të gjitha kohët. Meshkujt janë po ato e gratë po ashtu. Në këtë shekull të paktën këtu në Shqipëri femrat janë bërë më të vetëdijshme dhe meshkujt janë bërë më të “kujdesshëm”.

Sa për gjininë tonë them që e drejta për paritet e ka bërë komunitetin femëror ta zotërojë këtë shekull. Gra presidente, astronaute, gardiane, të gjitha punët që dikur kanë qenë “punë burrash”.  Korraca burrnajash nuk ka më. Ngacmime seksuale do të ketë, por format stërhollohen ndërkohë që dhe ligjet për të na mbrojtur forcohen.

 

  1. E mbyllim me një kritikë konstruktive për vajzat e brezit të sotëm, për mua që ta konkretizojmë dhe lehtësojmë përgjigjen.

 

Po s’na pëlqejnë kritikat (hahaha). Bëj shaka. Në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme (sepse jemi në shekullin 21) etapat e jetës do ti kalojmë të gjithë. Sa shumë kanë ndryshuar gjërat!

Këshilla e vetme për vajzat e sodit: Te kenë integritet, të luftojnë për këtë fort dhe shkollim, shkollim, shkollim!

 

 

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of