BeautyHealthRona Nushi

6 Zakonet Për Trajtimin e Akneve Hormonale

Bees & Trees

Nga NOUNOU Rona Nushi


Pak ditë më parë folëm pak më shumë për shkaktarët e akneve hormonale (këtu) dhe 375 termat mjekësor që ndoshta 99% nuk i mbajnë më mend! 😀 Por, pjesa që na intereson më shumë është se si mund ti trajtojmë ato (dhe pa e ditur se çfarë janë, sigurisht që s’do e kuptojmë as se si mund ti trajtojmë).

Prandaj, le ti futemi me kokë 6 gjërave esenciale që na ndihmojnë në përmirësimin e akneve hormonale:

1) Hani ushqimin e duhur

Të hash shëndetshëm nuk mjafton kur bëhet fjalë për ekuilibrin hormonal. Disa ushqime që kanë efekt pozitiv tek një kategori e njerëzve, tek një grup tjetër mund të efekt të dëmshëm. Më specifikisht, ka disa ushqime mjaft të shëndetshme, por kur konsumohen nga personat që kanë çrregullime hormonale, ndikojnë akoma më keq tek kjo pjesë.
Por, cilat janë ushqimet që ndihmojnë në ekuilibrim hormonal?

– Yndyrnat e pangopura (ato poliinsature) të pasura me Omega-3: Gjëja e parë që duhet të bëni është ta largoni tërësisht nga dieta juaj margarinën (yndyrë artificiale, e krijuar nga njeriu). Mundohuni të konsumoni më shumë yndyrna të pangopura nga të cilat në sasi më të lartë ato të pasura me Omega-3 dhe më pak Omega-6. Eshtë shumë e rëndësishme që trupi jonë të mbajë një bilanc 1:1 të sasisë së Omega-3 dhe Omega-6. Por, stili i jetës i këtyre viteve të fundit që shumica nga ne bëjmë (shumë i ndikuar dhe nga produktet që gjejmë në treg) ka bërë që ky ekuilibër të ndryshojë dhe të kemi sasi shumë më të larta të Omega-6 se Omega-3 në trup. Për ta pasur një ide më të saktë të kësaj që po flasim, po jua sjellë më poshtë një listë të ushqimeve të pasura me Omega-3 dhe atyre me Omega-6.

Ushqimet e pasura me Omega-3:
-Farat e lirit, farat chia, arrat, lakra e brukselit etj.

Ushqimet e pasura me Omega-6:
-Vaj luledielli, vaj misri, vaj gruri, vaj soje, margarina, majonezi, salca sojes, mishi, produktet e qumeshtit etj.

Problemi tek dieta jonë (sidomos nëse konsumoni produkte shtazore) qëndron pikërisht te sasia e lartë e yndyrnave të pasura me Omega-6 dhe sasia shume e ulet e atyre me Omega-3. Ky lloj i yndyrnave luan rol kyq në mirëfunksionimin qelizor dhe sidomos në funksionimin dhe sekretimin hormonal.
Nga ana tjetër, edhe yndyrnat e ngopura (natyrale, jo ato të ngopura artificialisht nga njeriu, apo të hidrogjenizuara, siç është margarina), kanë rol të rëndësishëm në sekretimin e hormoneve. Vaji i kokosit është një burim shumë i mirë i yndyrnave të ngopura.

Përfundimi: Evitoni / konsumoni sa më pak: vaj kikiriku, vaj luledielli, vaj misri, vaj soje, margarinë apo vajëra të tjerë të përpunuar. Mundohuni të evitoni totalisht produktet me prejardhje shtazore (mishin & bulmetin).

-Konsumoni më shumë vaj kokosi, fara liri, arra, fara chia dhe ushqime të tjera të pasura me Omega-3.

-Shtoni sasinë e fibrave në dieten tuaj: Sasia më e lartë e fibrave në dietën tuaj ndihmon me uljen e nivelit të testosteronit, DHT-së dhe DHEA-së në gjak. Doza e rekomanduar e konsumimit të fibrave për femrat është rreth 35 gram në ditë dhe për meshkuj rreth 38 gram në ditë.

-Zëvendësoni bulmetin me produkte vegane (p.sh. qumësht bajamesh, parmezan bajamesh etj): Nëse e kujtoni nga artikulli jonë i mëparshëm për trajtimin e akneve hormonale, DHT lidhet me receptorët e hormoneve androgjene dhe rrit sekretimin e yndyrës. Tek qumeshti i lopes, DHT është i konvertuar nga prekursorët (paraardhësit) e tij tek kafsha dhe është tashmë i gatshëm për tu lidhur me receptorët e tij në trupin tonë, në momentin që ne konsumojmë qumështin. Kjo gjë automatikisht sjellë sekretim më të lartë të yndyrës tek lëkura jonë, pa qenë e nevojshme.
E kuptoni hilen me qumështin shtazor? E njëjta gjë vlen për produktet e tjera shtazore (djathin, gjizën etj.).

-Konsumoni më shumë ushqime alkaline dhe më pak ushqime acidike: Ushqimet që formojne më shumë acid në trup (kërkojnë dhe më shumë acid nga stomaku për tu tretur) quhen ushqime acidike. Sa me acidik është trupi jonë, aq më i rrezikuar nga sëmundjet do të jetë. Niveli i lartë i aciditetit ndryshe quhet dhe acidozë. Tek ky grup ushqimesh acidike futen: mishi, alkooli, sheqeri, drithërat e procesura (psh buka e bardhë) etj.

Nga ana tjetër, ushqimet që e kthejnë trupin tonë në pH më alkaline (bazike) dhe kërkojnë më pak acid stomaku për tu tretur quhen ushqime alkaline. Trupi më alkalin është më imun ndaj sëmundjeve. Në grupin e ushqimeve alkaline futen frutat dhe perimet e freskëta.

Stresi është një tjetër shkaktar i aciditetit në trup. Por, ushqimet alkaline neutralizojnë këtë aciditet dhe ulin nivelet e kortizolit (hormoni që shkakton stres). Dhe, përveç tjerash, stresi është një tjetër shkaktar i akneve hormonale. E për këtë do të flasim më poshtë.


2)Ulni nivelin e stresit

Tek personat me akne hormonale është parë që niveli i kortizolit është më i lartë, që tregon një lidhje në mes të këtyre akneve dhe nivelit të stresit. Eshtë e rëndësishme të ulim stresin në jetën tonë, si me anë të dietës, ashtu edhe me metoda të tjera siç është aktiviteti fizik, yoga, meditimi apo praktikimi i mirënjohjes. Me anë të ushqimit për shembull, siç e përmendëm edhe më sipër, ushqimet alkaline (frutat dhe perimet e freskëta) neutralizojnë acidet dhe keshtu ulin nivelin e kortizolit apo hormonit të stresit në gjak. Përveç tjerash, ulja e stresit ulë edhe inflamacionin në trup, që është një faktor pozitiv në shërimin e akneve të inflamuara.


3)Flini më shumë

Gjumi, ky ilaç i mirë dhe i lirë balancon hormonet tuaja. Ndërkohë që trupi jonë është në gjumë, ai punon vazhdimisht për të eliminuar toksinat, “rimbushur” trurin me energji dhe duke sekretuar hormone. Edhe vetëm një natë e kaluar pa gjumë ose me gjumë të çrregullt arrin të çrregullojë balancin hormonal. Prandaj, më shumë gjumë, më pak stres, më shumë energji dhe shëndet!


4)Merrni suplementet e duhura:

Fatkeqësisht, ushqimi që hamë është shpesh i procesuar apo i rritur artificialisht dhe vlerat nutricionale që përmbajnë nuk arrijnë të përmbushin nevojat e trupit tonë. Prandaj, shpesh na vijne në ndihmë suplementet e ndryshme për mungesat nutricionale që mund të kemi.

Sigurisht, gjëja më ideale është që këta nutrient ti marrim nga ushqimet e freskëta, por jo çdokush ka mundesinë të marri sasinë e duhur të magnezit nga plazhi në oqean bie fjala (ah sikur), dhe në këto raste mund ti marrim me anë të suplementeve.

Magnezi: është jetësorë për qindra funksione brenda trupit tonë dhe shumë nga ne kemi mungesë magnezi në trup. Ka disa mënyra për të marrë sasitë e duhura të magnezit: me aplikim topik (në lëkurë) apo me anë të suplementeve që mund të blihen në farmaci. Me aplikim topik, që është dhe forma më e preferuar, magnezi përthithet më mirë dhe nuk rrezikoni për mbidoze. Mund të vendosni në ujin e vaskës suaj sulfat magnezi (kripë Epsom) dhe kështu sasia e nevojshme përthithet nëpermjet lëkurës. Ndërsa, për suplementet e magnezit që mund ti merrni në farmaci, duhet të konsultoheni me farmacisten për dozën e nevojshme sipas moshës dhe kërkesave të trupit tuaj.


5)Ushtroni në mënyrën e duhur

Ushtrimet fizike ju bejnë mirë – këtë e degjojmë gjithandej. Por, kur bëhet fjalë për balancim të hormoneve duhet pasur kujdes në këtë pjesë. Aktiviteti i lartë fizik mund të bëjë efekt të kundërt, prandaj është e rendesishme që të mbahet në një nivel më të kontrolluar, vetëm me ecje, yoga, not apo aktivitet tjetër jo shumë intensiv.

6)Përdorni produktet e duhura kozmetike

Kur bëhet fjalë për aknet hormonale produktet kozmetike arrijnë të kenë një efekt mjaft të limituar. Ato mund t’ju ndihmojnë vetëm sipërfaqësisht, me qetësimin e akneve. Duke qenë se rrënja e problemit është diçka e brendshme (fiziologjike) produktet kozmetike nuk arrijnë ti kujojnë. Me pak fjalë, në momentin që do e ndërpsini përdorimin e tyre, aknet do ju rikthehen përsëri.
Por, në momentin që ne fillojmë ti kurojmë aknet duke vepruar direkt në shëndetin tonë (5 pikat më sipër), sigurisht që përdorimi i produkteve të duhura do na përshpejtojë kohën e kurimit dhe do na lehtësojë mjaft punë!
Është e rëndësishme që të mos përdorim produkte me sasi të lartë vajërash në përbërje.

Çfarë na duhet: Një tonik i mirë me veti ekuilibruese të yndyrës dhe veti antibakteriale, një krem i lehtë hidratues ose antiakne (me sasi te vogël vaji ose oil-free), larës fytyre të përshtatshëm për lëkura akneike dhe serum për trajtimin e shenjave.

 

Uroj që këto këshilla do ju ndihmojnë të shikoni rezultate pozitive sa më shpejtë me shëndetin tuaj, ekuilibrimin hormonal dhe si pasojë edhe me gjendjen e akneve hormonale.

 


*PËR TË VËRTETUAR NËSE JU KENI NJË ÇRREGULLIM HORMONAL APO NËSE AKNET TUAJA SHKAKTOHEN NGA KËTO NDRYSHIME HORMONESH, DUHET TË VIZITOHENI TEK MJEKU DHE TË BENI ANALIZAT E DUHURA HORMONALE.

 * * KONTRACEPTIVËT ORAL JO GJITHMONË JANË ZGJEDHJA E DUHUR (DHE SIDOMOS JO ZGJEDHJA E PARË).
Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of