Edit KapcariFoodHealth

Intervista Interaktive e Avokados

Vegan Inspired Vibes

Foto @veganinspiredvibes

Nga NOUNOU Edit Kapcari

Eksperienca ime me avokadon dhe e ndjekësve të mi në rrjete sociale.
Arsyeja pse të gjithë e duam dhe shumë mënyra se si ta përdorësh avokadon në receta të ndryshme të përditshmërise.
Bonus: Si të dallosh një avokado të pjekur mjaftueshëm për tu ngrënë?

Avokadon për herë të parë e kam njohur në mënyrë të pandërgjegjshme si guakamole, por si fëmijët që shpeshherë nuk e bëjnë lidhjen e pulës (që hanë) me pulën shpend ashtu dhe unë nuk përpiqesha të bëja lidhjen e guakamoles me avokadon. E shikoja si frut në supermarket, por nuk e dija çfarë ishte dhe meqë nuk e njihja, i rrija larg.

Kur hapa një llogari në instagram, algoritmi i instagramit në atë kohë, nga fundi i 2015, ishte më i pafajshëm dhe i sinqertë krahasuar me sot (në Home nuk më dilnin vetëm fashionista apo celebritete si sot, për të cilat nuk mund të kem aspak interes, por foto ushqimesh apo faktesh që kishin të benin me hashtaget që une përdorja më shpesh në postimet e mia).

E hasja shpesh avokadon në fotot e Home, dhe u intrigova që ta blej e ta provoj dhe vetë se më dukej vetja shumë out krahasuar me veganet e tjera.

Foto @veganinspiredvibes

Eksperienca e parë ishte: “Ewww, ky s’paska shije fare, ose më mirë ngjan si të hash yndyrë apo krem hidratues”. Jo se unë ngopem në kremëra hidratues, në fakt mundohem të përdor sa më pak produkte kozmetike se e kam zet të “ha” ndonjërin nga pakujdesia, thjeshtë me një lëpirje të pavullnetshme buzesh.

Nuk e bleva më për ca muaj dhe pyesja veganet e tjera nëpër komente se çfarë i pëlqenin avokados. Duke pyetur mëson. Mësova që avokadoja u dashka marinuar pak me kripë a lëng limoni që të shijojë. Duket sikur ithtësia e limonit i zbut pak ndjesinë që të jep si yndyrë solide.

Që pas këtij mësimi unë e përdorja 1 herë në javë, sepse në atë periudhë i mbaja yndyrat sa më larg. E përdorja në buke, në sallatë apo dhe si topping për makaronat. Duke qenë se ushqyerja ime evuloi, unë kalova nga një person që hante rreth 3000Kcal në ditë duke mbajtur yndyrën të ulët në një njeri që hante kur i hahej dhe sa i hahej që sot quhet mindful eating dhe ndihem shumë me fat që e kam arritur këtë marëdhënie me ushqimin pas shumë ulje ngritjeve e yo-yo dieting.

Sasia e kalorive ditore ra ndjeshëm, duke bërë që dhe vlerat ushqyese të ishin të larmishme e më të ekuilibruara. Ula pakëz sasinë e karbohidrateve, rrita sasinë e yndyrës ndërkohë proteina mbeti e pandryshuar. Ndoshta në këtë mes kishte të bënte dhe bashkëjetesa me partnerin. Tani i hanim vaktet në mënyrë më të rregullt dhe e shijonim të gatuarit e të ngrënit.

Foto @veganinspiredvibes

Që nga ajo ditë avokado na nxjerr nga situata të pakëndshme kur ti vjen në shtëpi me uri luani, asnjëri nuk ka dhe aq nerva për të gatuar e do të hash diçka të shpejtë. Darka të tilla mundohem të mos ti kem të shpeshta por që vërtetë shijojnë kur ndodhin.

Ne hamë bukë integrale të thekur, shumë feta, sa që e humbasim llogaritjen e në fund qeshim kur ndërgjegjësohemi mbi sasinë, të shoqëruara me ndonjë salcë vegane djathi apo kungulli, patëllxhani, domateje etj, sallatë, domate, kastravec dhe avokado të marinuar. Më duket si versioni modern i bukë e zemër e kripë, apo bukë e djath e domate që haja dikur në kembe kur isha femijë.

Është edhe kryefjala e ndonjë brunch-i që organizojmë shpesh me njëri-tjetrin në fundjavë apo kur ftojmë familjarë e shoqëri në shtëpi.

Avokadoja ndër të tjera ka dhe shumë vlera ushqyese, sepse është e lartë në yndyrë bimore dhe të pangopur, versioni i shëndetshëm i yndyrës, ndryshe nga yndyrat shtazore të cilat janë të gjitha të ngopura e mund të shkaktojnë një qerre me probleme e sëmundje në organizmin e njeriut.

Avokadoja përmban gjithashtu një sërë vitaminash e mineralesh si vitaminën B6, K, A, C, hekur, kalcium, magnez e kalium. Përmban dhe karbohidrate kryesisht në formën e fibrave që të ngopin edhe nëse ke ngrënë një sallatë të thjeshtë bimore me një avokado.

Imagjinoni pak që nëse kushtet klimatike janë të duhurat, ju mund të kultivoni një avokado thjeshtë duke futur një bërthamë avokadoje në ujë, siç kam bërë unë dhe siç kishte bërë dhe njëra nga vajzat që pranoi të ishte pjesë e intervistës.

Sigurisht që duke qenë frut që nuk rritet kudo, nuk është i lirë. Në Gjermani shitet kryesisht më kokrra dhe ka lloje të ndryshme, të vogla ose të mëdha, jeshile e errët apo jeshile shuuumë e errët. Si njeri që vendos marëdhenie të mira shumë shpejt me bimët, e mësova shumë shpejtë si të dalloj një avokado të pjekur mjaftueshëm për tu ngrënë në 1-2 ditë.

Foto @veganinspiredvibes

Këshillat e mia: Unë do sugjeroja avokadot që janë në dukje të mëdha se zakonisht avokadot e vegjël kanë shumë bërthamë, pak “mish” fruti dhe duan shuuumë kohë që të bëhen për tu ngrënë, sepse janë shumë të ngurtë. Ngjyra duhet të jetë jeshile shumë e errët kryesisht dhe nëse i shtypni pak (shumë pak se përndryshe rrezikoni ti prishni) avokadoja duhet të jetë pak e butë e jo shumë e ngurtë. Gjithashtu nëse provoni ti merrni erë, një avokado që është pothuajse e bërë ka një aromë, ndryshe nga disa të tjerë që mund të jenë këputur para kohe. Rrini larg avokadove që kanë zona shumë të shtypura e lluqe sepse ajo pjesë duhet hedhur me siguri, e kjo vjen si pasojë e shtrydhjes që i ka bërë dikush para jush apo incidenteve të transportit.

Meqë eksperienca ime me avokadon ka qenë dashuri-urrejtje ndoshta si pasojë e mungesës së njohurive, në sajë të rrjeteve të mia sociale kam mësuar që shumë prej jush e pelqejnë avokadon dhe në mënyrën e tij natyrale. Kjo për mua është diçka e re, dhe ishte shtysa që në këtë shkrim të përfshija një mini intervistë.

Pyeta në @veganinspiredvibes dhe Veganet Shqiptare 2 gjëra të thjeshta:

  1. E mban mend herën e parë kur ke provuar avokado? Çfarë përshtypjeje të ka lënë?
  2. Si e përdor sot avokadon? Më trego ca receta të thjeshta ose mi përmend me emer nëse nuk do të zgjatesh. Pse e pëlqen/përdor?

Dhe përgjigjet ishin nga më te ndryshmet e interesantet. Mësova shuuume, lexova disa kombinime të reja e të çuditshme, por që mesa duket shijojnë vërtetë.

Më poshtë po i listoj të gjitha përshtypjet e atyre që morën pjesë sëbashku me llogaritë e tyre përkatëse në Facebook apo Instagram.

I kam lexuar të gjitha me kënaqësi e ju falenderoj të gjithëve për pjesmarrjen. Një tregim shumë interesant nga pikëpamja mjekësore vjen në fund të këtij shkrimi nga një psikopatologe dhe psikanaliste.

Sigurisht që ju mund të bëheni pjesë e kësaj interviste duke komentuar përgjigjet tuaja në fund të artikullit.

Lexim e ditë të mbarë!

& don’t forget to BREATHE! Edit’h

Bela @belindavangjeli “Ka kaluar shumë kohë nga hera e parë, ndoshta më shumë se 15 vjet. Shija më është dukur si e farave të pishës. E ha shumë, ja tani për shembull, me kripë, limon, vaj ulliri, spec djegës, qepë të njomë dhe djath dhie është ultimate recipe. Po dhe me poached egg.”

Ogerta @ogertacapnage “E kam provuar dhe s’më ka pëlqyer, po tani më pëlqen shumë, sidomos kur mësova recetën me makarona. E përdor dhe si maskë për fytyrën se është super hidratues. Në makarona bashkoj pak hudhër me vaj ulliri dhe sipër i hedh avokadon.”

Eda @e.tabaku “Nuk e mbaj mend, por më dukej i shpifur. Aktualisht e pëlqej shumë dhe e konsumoj 1-2 kokrra në javë. Zakonisht e ha në mëngjes ose në darkë, më duket më me shije tani. Kam lexuar që ka vlera ushqimore. E pres në feta të holla, i hedh pak vaj ulliri dhe e vendos mbi një (disa sipas vaktit) feta buke të thekur, e shoqëroj me pomodorini dhe/ose vezë e djathë… varet se s’kemi çdo ditë vit të ri, hahaha. Ups, desh harrova, e bëj dhe maskë për fytyrën.”

Ela @ela_st93 “Nuk më ka pëlqyer fare, shije shumë e çuditshme, e “fshihja” nëpër sallatë për ta ngrënë. Në këtë moment e dashuroj. Më duket shumë i shijshëm, plus është #goodfat, yay. Në sallatë e përdor, thjeshtë siç është natyral, dhe guacamole.”

Unë sigurisht doja të sigurohesha që arsyeja pse Ela kishte ndryshuar mendim për avokadon ishte marinimi, por për çudinë time ajo përgjigjet: “Mendoj praktika më ka bërë të ndryshoj mendim, hahaha. E haja edhe pse nuk e kisha qejf. E pastaj u mësova me shijen, ose ndoshta avokadoja që kam provuar në fillim nuk ka qenë i mirë. Por vura re të njejtën gjë dhe tek familja ime se unë e kam provuar në Francë për herë të parë. Këtë herë vajta në Shqipëri e ju kërkova të shtëpisë ta provonin, asnjëri nuk e pelqeu.”

Edlira @edlira.kraja “Diku në 2014 e kam provuar për herë të parë. Shije shumë e veçantë, miksim të mirash. E pëlqej shumë, sidomos për mënyrat e shumta të përdorimit. E përdor si salcë, me kripë dhe një mori erëzash.”

Foto @snidgetpixie

Sindi @snidgetpixie që ndryshe quhet dhe Sindi Avocado në Instagram, s’ka nevojë për shumë shpjegime.
 “Kam ngrene afërsisht para 5 viteve për herë të parë. Ishte e njëjta periudhë festash si tani. E gëlltitura e parë më është dukur një përzierje frutash të thata. Diçka mes bajames, lajthisë e arrës. Ndoshta sepse ishte e vetmja shije që mund të përafroja. Kisha ndjesinë sikur haja e nuk ngopesha, diçka të tipit sa më shumë të haja aq më shumë doja. E njëjta gjë më ndodh dhe tani, nuk i them kurrë jo. Vetë e përdor ashtu siç është në tost dhe pesto. Në guacamole nuk më pëlqen shumë sepse e preferoj shijen e avokados sa më natyrale. Kaq, pikë, hahaha.”

Silvana @mehmetajsilvana “Iii, ky ka qenë reagimi i parë pak a shumë, e provova dhe mendova mos është i prishur, apo kështu duhet të shijojë, dhe si përfundim e hodha (i hodha se kisha blerë 2). E tani që di pak më shumë për avokadot mund të them që kanë qenë shumë të pjekur. Tani i përdor pothuajse çdo ditë. …And I ask myself how could I become so old without eating avocados? E përdor siç është, me bukë, domate në mëngjes, sallatë apo si guakamole (domate, qepë, kripë, limon, piper). Guakamolen dhe disa erëza jeshile i përdor dhe për Spaghetti, gjithashtu edhe avokado të pjekur, del shumë i shijshëm.”

Foto @snidgetpixie

Anisa @anisabrasha “Po e mbaj mend shumë mirë, mu duk sikur po haja sapun, hahaha. Tani e pëlqej shumë si shije dhe për vlerat që ka. Më pëlqen të ha dhe ashtu siç është, vetëm e ndaj në mes dhe e ha me lugë. Ose e bëj si pure me kripë dhe limon dhe lyej bukën.”

Violeta Hasani (Facebook) “Avokado e shtypur me pirun, lëng limoni, kripë, piper i zi. Mousse me avokado, kakao, hurmë arabe, banane. Avokado, banane, tërshëra, është mëngjesi i preferuar i imi dhe i djalit tim. #avolove Po të dërgoj një foto nga ushqimet e djalit, tërshërën e ziej, kurse avokadon dhe banenen i shtyp ose i coptoj.” Madje Violeta na solli dhe një fakt shumë interesant: “Për shkak të vlerave të tij ushqyese avokado është ndër ushqimet me ngjashmëri më të lartë me qumështin e nënës si pasojë e % së proteinave dhe faktit që eshte lehtësisht i tretshëm e perthithshëm nga organizmi i njeriut.”

Agon Rexhepi (Facebook) “Avokadon krejt thatë e ha #noregrets. E ha me raste dhe me banane, të përzier në një sallatë.”

Zana Bajrami (Facebook) “Avokadon si guacamole, and that’s life.”

Mirela Kapaj (Facebook) “Guacamole është e preferuara ime: avokado, domate, hudhër, qepë, cilantro, lime, kripë, piper. Ose thjeshtë e shtypur në sallatë.”

Jolka Nathanaili-Penotet (psikopatologe, psikanaliste) “Jo në fakt nuk e mbaj mend herën e parë tani që e mendoj, por mbaj mend herën e parë që ma sugjeruan. Një mik brazilian më pati thënë se ata e kishin zakon ta përdornin si ‘boost’ perpara se të hynin në det për të bërë surf. Ishte në fakt recetë e thjeshtë, një smoothie avokado +/ banane me qumësht (soje). Mendoj që është pak e rëndë për tu përdorur nëse nuk bën sport më pas. Më ngeli si recetë kjo aq më tepër që në oqeanin paqësor ku ishim në atë kohë (San Francisco) praktikohej një jetë që e quanin dhe ‘holistic’ një kombinim i natyrës me njeriun në mënyrë sa më të plotë.

Vërtetë më ka ngelur prej asaj kohe që ta përdorja kryesisht si ‘smoothie miks me bananen përpara se të hynim në oqean dhe më pas në guacamole.

Kur u ktheva në Shqipëri mbaj mend se nuk e përdora më si përpara, sepse mungonin të gjithë elementët që sapo përmenda, njerëzit e asaj kulture, aktivitetet e forta sportive se ne s’kemi oqean këtu as dallgë për surf…Por, e rinisa ta përdor në guzhinë në mënyrë progresive sidomos pasi ‘rigjeta’ më në fund cilantro (koriandër) në Shqipëri- recetë që e përdor shumë – salcë cilantro-avocado ku thjeshtë kombinoj me avokadon, hudhrën, kosin, lime, vaj ulliri, uthull, kripë.

Ndërkohë pasi fillova të punoj me fëmijët në pediatri, nëpër çerdhe ku u ndesha me patologji të ndryshme vura re se në disa raste rekomandohej avokadoja për të ushqyer “fuqishëm” trurin (njihet dhe si ‘superushqim’). Kryesisht në rastet e një vonese në zhvillim mendor për te mos u zgjatur më shumë.

Foto @snidgetpixie

P.sh. kujtoj në një rast kur i është rekomanduar nga mjeku, familjarët e kanë ndaluar përdorimin pasi fëmija shtoi shumë në peshë për një kohë të shkurtër. Pra, ndërkohë që u mendua vetëm për zhvillimin neuronal u harrua trupi. Të kemi parasysh se duhet një ekuilibër mes të dyjave, sepse në rastet e vonesave në zhvillim (qoftë neuronal ose psikik) femijët kanë tendencën të mos ushtrojnë aktivitet fizik si fëmijët që nuk kanë vonesa. Nuk ka studime të mirëfillta për këto lidhje të mos kemi keqkuptime, këto i kam vënë re në punën time gjatë viteve. Pastaj, të arrish ti prezantosh avokadon një fëmije me çrregullime apo vonesa në zhvillim është mrekulli pasi shpesh këta fëmijë vuajnë dhe nga kequshqyerja apo dhe anoreksi në disa raste dhe organizmi fillon të prodhojë myk ndaj avokadoja nga një anë rregullon pH, sepse dihet që është një nga ushqimet më alkaline dhe nga ana tjetër është shumë më i pranueshëm për femijët që kanë vështirësi me objektin oral pasi vjen në formë të butë, familjar për fëmijët që rikujtojnë trajtën “pure” me të cilën i ushqente nëna… Pra, është dyfish interesant nga kjo pikëpamje.

E përdor dhe në sallatë filizash p.sh. thjerrëzash ose qiqrash, sepse i jep shijen që i mungon mbase një pjate të tillë, por dhe e jeshilon, është shumë i bukur në pjatë… Sinqerisht, më pëlqen shumë ndaj prej vitesh tashmë i jam dedikuar në atë pak kohë të lirë rritjes së avokadove në shtëpi, sepse është një super ushqim, por edhe sepse në këtë kohë ekonomie globale preferoj të investoj tek produktet lokale. Mësim i nxjerrë nga jetesa ime me kalifornianët aq të kujdesshëm për ambjentin që i rrethon.

Mësova para pak kohësh dhe që plantacionet e avokadove janë mbishtuar dhe prodhimi i tyre është trefishuar nga kërkesa e lartë me pasoja të mëdha në mjedis (kërkon shumë më tepër ujë) dhe cilësi. Di që ka filluar të kultivohet në Shqipëri dhe më gëzon shumë kjo gjë dhe kam disa ide për ti ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë duke i kaluar nga cikli organik si psh si rriten filizat etj. pasi është shumë e lehtë të arrish të nxjerrësh filizen e avokados krahasuar me bërthama të tjera. Ja vlen të asistosh një pemë të vogël jete që të jep kaq shumë nëse ke durimin e duhur për të ndjekur këtë proçes.”

 

Foto -avokado filiza të mbjelle para 3 vitesh

 

 

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of