Arjena DuçiInspiration

Mos Jini E Bukura Që Shoqëria Vendos

That Wild Flower

Nga NOUNOU Arjena Duçi

Të kërkoj në sekonda të ngrira;
e përhumbur, e dehur… ashtu të kërkoj.
Të kërkoj në kujtime të pluhurosura;
të strukur, të mërzitur shumë të mendoj.

Rrallë herë përpiqesh e më buzëqesh,
por në pasqyrë nuk kënaqesh me mua.
Çdo ditë çirresh, kërkon e vetëm kërkon,
nuk u bëmë mike zemre asnjëherë të dyja.

Si nuk e pëlqeve një herë shpirtin tim?
Egoiste… S’i ke falur më shumë se thërrime.
Si nuk kemi pasur një herë harmoni?
Armike e përjetshme…
mendja ime.

 

Këtë poezi e kam shkruar para një viti. Atëherë kur mendjen time e kënaqnin shumë pak gjëra që unë bëja e isha. Atëherë kur “ne të dyja” debatonim pothuajse çdo mbrëmje para se të flinim. Atëherë kur asaj nuk i pëlqente rutina ime, shkolla që bëja, personi që isha, mënyra si flisja, fytyra, këmbët, buzët, etj, etj. Ajo gjithmonë gjente diçka të më kundërvihej. Edhe kur hapa blogun para dy vitesh mu vu kundër. Sigurohej të ma përsëriste vazhdimisht që s’do ia dilja e kur ia dola, që hapat e mia ishin shumë të vogla, si të një vogëlusheje. Para një viti ajo më detyronte të bëja 200 foto që të zgjidhja 4. Foto… Për shumë prej jush mund të duket si shaka, por por mua mosbërja e fotove për blogun më fuste në mërzi dhe ma ndryshonte krejtësisht humorin sepse thatwildflower.com ishte vogëlushja ime dhe e ndjeja për detyrë ta ushqeja çdo ditë. Mërzitesha dhe ajo më bënte t’ia hidhja fajin “fytyrës sime të shëmtuar, “këmbëve të mia jo të gjata e të drejta”, “mos përdorimit të produkteve kozmetike si gjithë bota”, etj, etj…
Më lodhi aq shumë sa vetëm para pak muajsh e mora situatën në dorë dhe më vinte turp që nuk e kisha bërë më parë. Në fund të fundit, e kam quajtur veten “lule e egër” dhe një e tillë s’do e linte situatën të shkonte deri në atë pikë.
Fundi i 2017 dhe ky vit kanë qenë shumë të lumtur dhe sekreti isha pikërisht unë, energjia ime. Unë vendosa ta dua trupin tim, Arjenën. Vendosa të isha rehat me vetëm ate rimelin që kam e që në fakt as emrin nuk ia di se mami ma ble sa herë që shkoj në Korçë. Vendosa të isha rehat edhe me pozat e mia aspak perfekte. Vendosa të isha rehat me këmbët e mia jo të gjata, me mëyrën sesi më rrinë rrobat, sesi dukem brenda tyre. Këtë vit unë jam më e lumtur, më e plotësuar dhe më shijon kafeja edhe kur e pi vetëm. Këtë vit, unë dhe Arjena jemi shoqe të ngushta. Po bëjmë vetëm gjërat që duam. Kemi një punë shumë interesante, i kushtojmë kohë personave që vërtet kemi dwshirë dhe përpiqemi çdo ditë të largojmë edhe grimcën më të vogël të negativitetit.
Bëjeni edhe ju këtë gjë vajza! Duajeni veten tuaj! Dhurojini asaj komplimenta, buzëqeshje e dashuri. Do shikoni që edhe Universi do punojë me ju e do ju ndihmojë shumë! Mos jini e bukura që shoqëria vendos, por jini e bukura që pasqyra juaj  do ishte krenare, do ishte rehat dhe e lumtur!

 

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of