Edit KapcariInspirationLifestyle

Si Të Pasurohesh, Pa U Varur Tek Fati

Vegan Inspired Vibes

Nga NOUNOU Edit Kapcari

Tweet threads nga Naval Ravikant, CEO dhe bashkë-themelues i AngelList

Nganjëherë koha e kaluar në rrjetet sociale ka dhe vlera, sidomos kur has në informacion të vlefshëm që të stimulon për të ndërmarrë diçka që do ndikojë pozitivisht tek ty, të stimulon të menduarit ose të mëson diçka. I tillë ishte dhe ky postim në twitter, nga një person me një vizion ndryshe dhe nivel interesant intelektual. Mendova që një përshtatje e 39 këshillave të tij të biznesit në shqip për lexuesit e Nounou nuk do ishte kohë e humbur. 

Këshillat nuk janë junk food e as këshilla klishe që gjenden rëndom në portale rozë, por duan pak përqëndrim e lexim kronologjik që të kuptohen drejt e në kontekstin e duhur. Gjatë përkthimit jam munduar që të vij sa më shqip, pa humbur kuptimin e asaj që ka dashur të thotë autori. Shpresoj t’ia kem dalë deri diku. 

Gjithashtu, si çdo gjë në jetë, disa prej tyre, në mos të gjitha, mund ti përshtasim dhe në përditshmëri, në planifikimin e menaxhimin e kohës, jo thjeshtë në plane biznesi.

E vështirë të zgjedhësh njërën nga këto këshilla, por nëse do më duhej të veçoja njërën, ajo do ishte e 11-ta.

Lexim të këndshëm!

1. Përpiquni të kërkoni pasuri, jo para ose status. Pasuria është të kesh asete që fitojnë për ju gjatë kohës që ju flini gjumë. Paraja është mënyra se si ne transferojmë kohën dhe pasurinë. Statusi është pozicionimi juaj në hierarkinë sociale.

2. Kuptoni se krijimi i pasurisë në mënyrë etike është i mundur. Nëse përçmoni fshehtas pasurinë, ajo do t’ju shmangë.

3. Injoroni njerëzit që luajnë lojëra statusi. Ata fitojnë status duke sulmuar njerëzit, të cilët luajnë lojëra që kanë të bëjnë me krijimin e pasurisë.

4. Ju nuk do të bëheni të pasur duke dhënë me qera kohën tuaj. Duhet të zotëroni kapital – një pjesë të biznesit – për të fituar lirinë tuaj financiare.

5. Ju do të bëheni të pasur duke i dhënë shoqërisë atë që ajo dëshiron, por ende nuk di se si ta marrë. Shkallë-shkallë.

6. Zgjidh një industri ku mund të luash lojëra afatgjata me njerëz afatgjatë.

7. Interneti ka zgjeruar konsiderueshëm hapësirën dhe llojin karrierave. Shumica e njerëzve nuk e kanë kuptuar ende këtë.

8. Luani lojra të përsëritura. Të gjitha kthimet në jetë, qofshin në pasuri, marrëdhënie ose njohuri, vijnë nga interesa të përbëra e komplekse.

9. Zgjidhni si partnerë biznesi njerez me inteligjencë të lartë, energji, dhe, mbi të gjitha, integritet.

10. Mos krijoni partneritete me cinikë e pesimistë. Besimet e tyre janë vetë-përmbushëse.

11. Mësoni të shisni. Mësoni të ndërtoni. Nëse mund ti bëni të dyja, do të jeni të pandalshëm.

12. Pajisuni me njohuri specifike, llogaridhënie, avantazhe e fuqi ne rritje.

13. Njohuritë specifike janë njohuri për të cilat ju nuk mund të trajnoheni. Nëse shoqëria është në gjendje të trajnojë të tilla njohuri, ajo mund të  trajnojë dhe dikë tjetër që në një kohë të afërt mund të të zëvendësojë.

14. Njohuritë specifike gjenden duke ndjekur kuriozitetin dhe pasionin tuaj të vërtetë dhe jo çdo gjë që është trend apo temë e nxehtë për momentin.

15. Të ndërtuarit e njohurive specifike ju do t’ju duket si lojë, por ndërkohë të tjerëve si punë.

16. Kur njohuritë specifike ju mësohen të tjerëve, kjo bëhet përmes praktikave e trajnimeve, dhe jo shkollave apo kurseve universitare.

17. Njohuritë specifike shpesh janë shumë teknike ose krijuese. Nuk mund të transferohen ose të automatizohen.

18. Përqafoni llogaridhënien dhe ndërmerrni rreziqe biznesi nën emrin tuaj. Shoqëria do t’jua shpërblejë këtë me përgjegjësi, ndershmëri dhe fuqi.

19. Njerëzit më të përgjegjshëm kanë marka personale, publike dhe të rrezikshme: Oprah, Trump, Kanye, Elon.

20. “Më jepni një levë të gjatë mjaftueshëm dhe një vend për të qëndruar, dhe unë do të lëviz tokën”. – Arkimedi

21. Kompanite e mëdha kërkojnë fuqi. Lëvizjet dhe fuqizimi në biznes vijnë nga kapitali, njerëzit dhe produktet pa kosto marxhinale riprodhimi (kodi-programimi dhe media).

22. Kapital do të thotë para. Për të mbledhur para, zbatoni njohuritë tuaja specifike, me llogaridhënie e përgjegjësi, dhe tregoni gjykim të mirë në vazhdimësi.

23. Fuqia punëtore nënkupton njerëzit që punojnë për ju. Është forma më e vjetër dhe më e luftuar e fuqizimit. Numri i lartë i punonjësve që punojnë për ju, është një shifër që mund t’i lërë përshtypje të lartë prindërve tuaj, por mos e harxhoni jetën tuaj duke u munduar ta rrisni atë.

24. Kapitali dhe fuqia punëtore janë fuqi për të cilat duhet marrë leje. Të gjithë po i shkojnë mbrapa kapitalit, por dikush duhet t’ua japë atë. Gjithkush po përpiqet të udhëheqë, por dikush duhet dhe t’ju ndjekë.

25. Kodi (programimi) dhe media janë fuqi të cilat nuk kërkojnë leje. Ata janë fuqi të të pasurve të kohëve tona. Ju mund të krijoni softuer dhe media që punon për ju gjatë kohës që ju flini.

26. Një ushtri robotësh (softuerësh të programuar për të berë punë që disa vite më parë bëheshin nga humanët) është e disponueshme – thjeshtë gjendet në qendra të dhënash (të administruara nga gjigandë teknologjikë si Google, Microsoft etj.). Përdoreni.

27. Nëse nuk mund të kodoni (programoni), shkruani libra dhe blogje, regjistroni video dhe podkaste.

28. Fuqia është një shumëzues i forcës tuaj gjykuese.

29. Gjykimi kërkon përvojë, por mund të ndërtohet akoma më shpejt duke mësuar aftësitë themelore.

30. Nuk ka aftësi të quajtur “biznes”. Shmangni revistat e biznesit dhe klasat/programet universitare të biznesit.

31. Studioni mikroekonomi, teorinë e lojërave, psikologji, si të bindësh dhe influencosh të tjerët, etikë, matematikë dhe kompjuter.

32. Të lexuarit është më i shpejtë sesa të dëgjuarit. Të bërit është më e shpejtë se të shikuarit.

33. Duhet të jeni gjithmonë shumë të zënë për të “bërë thjeshtë kafe” për të tjerët, e në të njejtën kohë mundohuni të mbani një kalendar sa më të zbrazët.

34. Vendosni dhe zbatoni një honorar aspirues personal. Nëse zgjidhja e një problemi do të kushtojë më pak se sa është honorari juaj, injorojeni atë. Nëse delegimi i një detyre do të kushtojë më pak se honorari juaj, delegojeni atë.

35. Punoni sa më e shumë që të mundeni. Edhe pse me kë punoni dhe me çka punoni janë më të rëndësishme sesa sa shumë punoni.

36. Bëhuni më të mirët në botë në atë që bëni. Ripërcaktoni dhe reformoni në vazhdimësi atë që bëni derisa të bëheni vërtetë më të mirët.

37. Nuk ka skema të shpejta që ju mësojnë si të pasuroheni. Pas këtyre skemave thjeshtë fshihen njerëz që duan të pasurohen përmes jush (duke përdorur besimin tuaj).

38. Zbatoni njohuritë specifike, me fuqi e përmirësim të vazhdueshëm, dhe përfundimisht do të merrni atë që meritoni.

39. Kur në fund të arrini të jeni të pasur, do të kuptoni se nuk ishte kjo ajo që vërtetë po kërkonit. Por kjo është për tu shtjelluar një ditë tjetër…

Burimi: https://twitter.com/naval/status/1002103360646823936

Edit Kapcari 

Instagram https://www.instagram.com/veganinspiredvibes/

Twitter  https://twitter.com/SheCodez

Tags : featured

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of